Ekonomi e izoluar apo politikë e verbër?


Botuar tek gazeta “Shqip”, 4 Qershor 2012

Në vitin 2009, kur kriza ekonomike botërore ishte shfaqur kërcënueshëm në Europë dhe në Amerikën e Veriut, Shqipëria gëzonte ende një rritje ekonomike të shëndetshme. Në këtë situatë, qeveria u angazhua të përçonte në publik tezën se Shqipëria nuk rrezikohet nga kriza ekonomike globale, për arsye se
ekonomia jonë është një ekonomi e izoluar. Teza e izolimit ekonomik të Shqipërisë, edhe pse për çastin u përpoq të krijojë siguri artificiale te qytetarët dhe sipërmarrja, më vonë rezultoi e dëmshme për ekonominë e vendit.

Nëse qeveria besonte me të vërtetë se Shqipëria është një ekonomi e izoluar, kjo rrethanë nuk duhej trajtuar si një arritje, por si një zbulim alarmant. Kryefjala e tranzicionit shqiptar ka qenë përpjekja për të formuar një shoqëri të lirë, të hapur, me ekonomi sa më të integruar në tregjet ndërkombëtare dhe pjesë e strukturave dhe institucioneve politike ndërkombëtare. Kjo, sepse përshtatja me standardet ndërkombëtare dhe pjesëmarrja në tregjet botërore janë rrugët më të sigurta për mbështetjen e një ekonomie në zhvillim. Në 2009-n teza qeveritare tregonte se, për fatin tonë të mirë, sistemi bankar shqiptar nuk komunikonte me sistemin financiar ndërkombëtar. Dhe kjo na paraqitej si një politikëbërje e hollë. E vërteta është se niveli i ulët i komunikimit të sistemit tonë bankar me tregjet financiare ndërkombëtare ka sjellë më pak fonde për financimin e biznesit vendas. Në këtë kontekst, ishte paradoksale që qeverisësit gëzoheshin për efektet afatshkurtra, por tregonin verbëri ndaj pasojave afatgjata të izolimit ekonomik. Një sistem bankar i izoluar nuk mund të jetë veçse barrë për ekonominë dhe nuk e kryen aspak rolin e tij primar, financimin e zhvillimit të ekonomisë. Prandaj, nëse qeveria besonte realisht në izolimin e ekonomisë, duhej të kishte përgatitur një paketë reformash, të paktën për sistemin bankar. Por asnjë nismë e tillë nuk ka ndodhur. Klasat politike dhe qeverisëse në vendet e tjera të rajonit e kanë kuptuar se zgjidhja për zhvillimin e ekonomisë qëndron tek integrimi, aksesi dhe shkëmbimet e saj në tregjet ndërkombëtare.

Edhe nëse ekonomia shqiptare në 2009-n ishte vërtet e izoluar, pra imunizuar nga ekonomia ndërkombëtare, në ekonomi, ndryshe nga mekanika, nuk mund të ketë një izolim perfekt dhe të plotë. Kjo sepse ekonomia botërore po shkon drejt një integrimi ndërkombëtar, në formën e tregjeve ndërkombëtare me pjesëmarrës të shumëllojshëm. Për shembull, në aspektet rregullatore funksionojnë institucione si OBT-ja, të cilat kanë si qëllim unifikim legjislativ të kuadrit rregullator të ekonomisë. Pra, prirja bashkëkohore është krijimi i një tregu global. Proces që realisht ka ndodhur. Integrimi i ekonomive ka më shumë pasoja pozitive, por nuk mund të mohohen edhe efektet negative. Një prej të cilëve është “efekti domino” në rastin e një krize ekonomike. Pra, rrënimi i një vendi shkakton pasoja në të gjithë sistemin. Në këtë kontekst, nuk mund të flitet për një izolim ekonomik hermetik të një ekonomie ose të një vendi. As në rastin e Shqipërisë, pavarësisht ekspozimit relativisht më të paktë ndaj tregjeve dhe risqeve ndërkombëtare.

Advokimi i tezës se në Shqipëri lulëzonte një ekonomi e izoluar rezultoi i dëmshëm ngaqë i mundësoi dhe e lejoi qeverinë të fshihte për një kohë të gjatë krizën ekonomike. Nga ana tjetër, mospranimi i krizës amplifikoi goditjet dhe efektet e saj, duke e bërë atë më të ashpër sesa mund të ishte në rast se qeveria do të ishte kundërpërgjigjur me një paketë stimuluese dhe një sërë reformash. Edhe pas kulmimit të krizave greke dhe italiane, qeveria përjashtoi mundësinë se këto kriza mund të ndikonin ekonominë tonë. Ky qëndrim ishte verbëri ekonomike, po të kemi parasysh se Italia dhe Greqia janë dy partnerët tregtarë më të rëndësishëm të vendit, për nga volumi i shkëmbimeve. Kriza greke mund të ishte përdorur edhe si një oportunitet nga ekonomia shqiptare në të paktën dy drejtime: tërheqjen e depozitave të emigrantëve në bankat shqiptare dhe tërheqjen e investimeve të emigrantëve në zonat kufitare. Por qeveria nuk bëri asnjë përpjekje për ta kapitalizuar krizën e ekonomisë fqinje. Një politikëbërje ekonomike adekuate do të kishte krijuar lehtësi fiskale për krijimin e sipërmarrjeve të reja nga emigrantët shqiptarë në zonat kufitare. Skema të tilla janë provuar si një praktikë efikase për të “vjedhur” investime nga fqinjët. Por kjo kërkon që klasa politike të arrijë të kuptojë dinamizmin e ekonomisë në nivel rajonal dhe global.

Në fakt, Shqipëria nuk është një ekonomi e izoluar. Kjo ilustrohet nga tiparet dhe episodet e zhvillimit ekonomik të vendit gjatë viteve të krizës globale. Tkurrja e tregtisë, rënia e vazhdueshme e nivelit të konsumit, rritja e nivelit të kredive të këqija dhe ulja e kërkesës për kredi të komunitetit të biznesit janë faktorë domethënës, që dëshmojnë jo vetëm ashpërsinë e krizës, por paralajmërojnë edhe përkeqësimin e saj në rast se nuk ndërhyhet.

Arsyetimi se Shqipëria mund t’i shpëtonte ose së paku mbijetonte krizës nëpërmjet izolimit të ekonomisë, si një taktikë për të bunkerizuar ekonominë, rezultoi e dëmshme. Kjo përpjekje e panevojshme ekspozoi edhe njëherë mediokritetin dhe verbërinë e klasës politike përkundrejt ekonomisë kombëtare. Ndodhi sipas parimit të njohur: e ardhmja ekonomike u sakrifikua në emër të pasioneve politike partizane. Por nuk mund t’i mbijetosh krizës ekonomike as duke iu fshehur as duke e fshehur atë.

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: