Vizionet dhe Iluzionet e Taksimit


Botuar tek gazeta “Shqip”, 2012-04-09  Në vend është ndezur një debat i nxehtë politik midis qeverisë dhe opozitës, rreth sistemit të taksimit. E them që në krye të herës se sistemet e taksimit duhen gjykuar jo në vakum, por në kuadër të kontekstit ku aplikohen. Politikat fiskale nuk janë një teknikalitet, por strukturë ekonomike që mbart incentiva në funksion të zhvillimit të vendit. Prandaj është ekonomikisht mediokre të thuhet se një sistem taksimi është në vetvete superior ndaj një tjetri.Kjo është një retorikë absolutiste, e përdorur kryesisht nga Kryeministri Berisha, i cili, si të ishte një nobelist i ekonomisë, nuk rresht së foluri mbi superioritetin absolut të taksës së sheshtë.
Përqasja e Berishës ndaj sistemit të taksimit është në thelb e gabuar, sepse i vlerëson sistemet e taksimit në mënyrë abstrakte, ideologjike dhe jashtë kontekstit. Ndërkohë, sistemet fiskale në epokën moderne të financave publike, vlerësohen gjithnjë në kontekstin e vendit ku aplikohen. Pra, nuk është se demonizojmë taksën e sheshtë apo mistifikojmë taksimin progresiv. Përkundrazi, duhet të analizojmë dhe rekomandojmë se cili sistem i shërben më shumë së ardhmes së ekonomisë. Kjo analizë sugjeron se Shqipëria duhet të shkojë drejt taksimit progresiv.

Taksimi progresiv nuk duhet parë thjesht si një zgjidhje politiko-ideologjike, por si një zgjidhje teknike, e diktuar nga kriza ekonomike dhe nevojat e zhvillimit. Taksimi progresiv do t’i shërbente më shumë ekonomisë së vendit, pavarësisht se cila qeveri e aplikon atë. Sistemi progresiv nuk është superior, se është politikë majtiste, por se do ishte i dobishëm për zhvillimin e biznesit në tërësi. Megjithatë, që të bëhet vërtet i suksesshëm, taksimi progresiv duhet ndërtuar sipas frymës së modelit amerikan. Një ndër aspektet e këtij sistemi është ndarja e biznesit në kasta, sipas prioriteteve dhe kontributit në zhvillimin e vendit. Për shembull, kompanitë që operojnë në burimet natyrore, duhen të vendosen në majën e piramidës së taksimit dhe jo të taksohen në një nivel si bizneset e vogla të fasonëve. Kjo sepse ato kompani shfrytëzojnë burime të paripërtëritshme. Një tjetër aspekt është ai territorialo-social. Për shembull, bizneset në zonat me varfëri ekstreme duhet të taksohen ndryshe nga bizneset e tjera. Jo për t’i diskriminuar, por për t’i lehtësuar barrën fiskale bizneseve më nevojtare dhe me impakt më të madh në reduktimin e varfërisë. Sistemi progresiv i taksimit lejon që bizneset të taksohen sipas rentabilitetit të tyre real. Vërtet ky sistem do të ketë një tavan më të lartë se taksa e sheshtë, por ky tavan do të funksionojë vetëm për ato biznese që meritojnë të taksohen maksimalisht. Ndërkohë, “tavani” lejon përshkallëzime për bizneset e vogla dhe të mesme drejt “dyshemesë” së taksimit. Pra, do të paguajnë relativisht më shumë ato biznese të cilat meritojnë realisht të paguajnë më shumë dhe si rrjedhojë, mund ta përballojnë. Ndërkohë do të taksohen më pak ato biznese të vogla e të mesme, të cilat tashmë janë duke falimentuar, sepse po paguajnë më shumë për të kompensuar taksimin e cunguar kundrejt biznesit të madh. Kjo qeveri betohet se është për sipërmarrjen e lirë të qytetarëve dhe nxitjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, por paradoksalisht dhe praktikisht i lufton këto biznese nëpërmjet taksimit të padrejtë. Në ciklin e biznesit, avancimi i biznesit të vogël dhe të mesëm është parakusht edhe për zhvillimin e biznesit të madh.

****

Duhet pranuar se sistemi aktual i taksimit të sheshtë nuk i shërben më vendit. Por kjo nuk do të thotë se ky sistem ka qenë i gabuar që ditën e parë që u aplikua, në 2007-n. Taksimi i sheshtë ka qenë deri-diku i dobishëm në realitetin dramatik të financave publike pas vitit 2005. Kjo sepse, siç dihet, vitet e fundit të qeverisjes socialiste si dhe vitet e para të qeverisjes së djathtë u karakterizuan nga një nivel i lartë informaliteti. Në atë emergjencë të financave publike, taksimi i sheshtë shërbeu si një mënyrë tranzitore për të kontribuar në luftën ndaj informalitetit. Pra, për të kultivuar gradualisht te sipërmarrja shqiptare kulturën e taksimit, në kushtet kur nuk mund të kalohej menjëherë nga një ekstrem në tjetrin.

Në shumicën e vendeve ku është aplikuar, taksimi i sheshtë është rekomanduar nga institucionet financiare ndërkombëtare si një kurë afatshkurtër për të stabilizuar katrahurat fiskale. Ndërsa në Rusi dhe republika të ngjashme, ku kastat qeverisëse zotërojnë bizneset e mëdha në pasuritë natyrore, taksimi i sheshtë përdoret në një perspektivë afatgjatë. Jo si përkujdesje ndaj zhvillimit të vendit, por si një vetëprivilegj i qeverisësve, për të taksuar sa më pak bizneset e tyre. Megjithatë, taksa e sheshtë mund të jetë e dobishme në kontekste të caktuara, siç është, për shembull, nxitja e investimeve të huaja. Por në rastin tonë, kjo pritshmëri nuk u realizua. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja për frymë në Europën Juglindore në 20-vjeçarin e fundit (1024 USD për frymë). Për më tepër, portofoli i investimeve të huaja përbëhet në shumicën dërmuese nga investime në pasuritë natyrore, jo investime direkte të mirëfillta. Pra, investimet e huaja dominohen nga investime, të cilat gjithsesi do të vinin në Shqipëri, pavarësisht sistemit të taksimit. Dihet botërisht se investimet në pasuritë natyrore janë produkte të axhendave të kompanive ndërkombëtare. Praktikisht, vendi ka dështuar në tërheqjen e investimeve të huaja direkte të mirëfillta, si fabrika prodhimi, të cilat hapin vende pune. Do të ishte në dobi të vendit që taksa e sheshtë të qëndronte, nëse barra e ulët fiskale kompensohej nëpërmjet tërheqjes masive të Investimeve të Huaja Direkte. Fakti që kjo nuk ndodhi, është një tjetër dëshmi e qartë pse Shqipëria duhet të heqë dorë nga taksa e sheshtë.

***

Ekonomia shqiptare është aktualisht në krizë. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, kriza në Shqipëri është më e ashpër. Nëse në Greqi, për shembull, individët kanë të ardhura të larta, por shteti ka falimentuar, në Shqipëri po falimentojnë shteti ashtu dhe qytetarët bashkë. Kjo shihet qartë në uljen drastike të nivelit të konsumit. Në këto rrethana, kriza ekonomike në Shqipëri është edhe një krizë humanitare. Taksa e sheshtë kontribuon në thellimin e krizës dhe varfërisë. Ajo e vendos barrën fiskale te konsumi dhe individët me të ardhura më të ulëta, duke thelluar varfërinë e tyre. Kemi dëgjuar të artikulohet nga ekzekutivi se më mirë të vuajnë qytetarët, por të shpëtojë biznesi, sepse gjeneron rritje ekonomike. Por ky është një arsyetim i pabazuar në teorinë ekonomike. Në shoqëritë ku qytetarët vuajnë, edhe biznesi falimenton. Siç po ndodh në Shqipëri. Sepse biznesi ka nevojë për një kastë klientësh. Në rast se klientët, pra qytetarët, falimentojnë në të ardhura, logjikisht edhe biznesi do të falimentojë. Pra, taksa e sheshtë, edhe pse ishte e gjetur në 2007-n, në rrethanat aktuale vetëm shtrëngon lakun e varfërisë.

Taksimi progresiv, në të kundërt, do të mundësonte ndërtimin e një sistemi fiskal preferencial dhe të përshkallëzuar në kuadër të zhvillimit të degëve të caktuara të ekonomisë. Prej taksimit progresiv do të përfitonin si qytetarët, ashtu edhe sipërmarrjet. Mund të tingëllojë paradoksale, që prej të njëjtit sistem përfitojnë edhe ata që do të paguajnë relativisht më pak, edhe ata që do të paguajnë relativisht më shumë. Kjo veti është themeli i një sistemi taksimi të suksesshëm. Taksimi progresiv mund edhe të përshkallëzohet deri edhe në 10% apo 5% për ato biznese, të cilat do të jenë një prioritet absolut për reduktimin e varfërisë dhe hapjen e vendeve të punës. Pra, një numër i madh biznesesh të vogla e të mesme do të paguajnë më pak taksa nëpërmjet taksimit progresiv sesa paguajnë sot nëpërmjet taksës së sheshtë. Sepse Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes luksin që edhe kompanitë e huaja që shfrytëzojnë pasuritë natyrore të paripërtëritshme, të taksohen në të njëjtin nivel si kompanitë e vogla fasone, bizneset e eko-turizmit dhe bizneset e tjera vendase. Ky rekomandim mund të tingëllojë nacionalisto-proteksionist, por e vërteta është se çdo qeveri nëpërmjet politikave të saj, duhet të favorizojë biznesin vendas. Vendi ka nevojë për një sistem taksimi progresiv që e ndan biznesin në kasta brenda vendit dhe prioritarizon bizneset shqiptare, jo bizneset e klientëve të huaj të qeverisë.

***

Taksa e sheshtë ishte një lundrim pesëvjeçar drejt askundit. Prandaj, le të mbetet në kujtesën tonë kolektive si një iluzion, një relike në muzeun e dështimeve. Politikëbërja duhet të nxjerrë mësime prej këtij iluzioni, duke shpalosur një vizion modern dhe progresiv për taksimin, në harmoni me objektivat e zhvillimit të vendit. Taksimi progresiv do të shërbejë për të shuar pabarazitë sociale, jo sepse ky është qëllimi i tij në vetvete, por sepse do të nxisë zhvillimin e biznesit në tërësi.

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: