Për krijimin e një Banke Agrare


  Botuar tek gazeta Shqip, 2011-11-28

1. Duket se në sensin e zhvillimit të bujqësisë palët politike shpalosin vizione të kundërta. Megjithatë, pavarësisht diversitetit të vizioneve, mbetet i domosdoshëm principi themelor se bujqësia ka nevojë për zhvillim dhe zhvillimi ka nevojë për financim. Aktualisht, niveli i financimit të sektorit bujqësor është tepër i ulët, si nga sektori publik, ashtu edhe nga ai privat. Ekzekutivi nuk ka programe kreditimi të fermerëve me fonde publike. Por edhe kreditimi i sektorit privat bankar në bujqësi është pothuajse inekzistent.Aktualisht bankat tregtare ofrojnë kredi, por me norma interesi stratosferike. Ato gjithashtu kërkojnë kolateral, i cili fermerëve u mungon. Përqindja e lartë, e kombinuar me kërkesat strikte për kolateral, i bën kreditë jofunksionale. Ekzistojnë edhe disa instrumente mikrofinanciare për kredidhënie në shuma të vogla. Por ato janë shumë pak për të përballuar kërkesat e fermerëve shqiptarë, si dhe aplikojnë një nivel të lartë interesi. Si rrjedhojë, bujqësia shqiptare gjendet në një udhëkryq. Fermerët nuk kanë as mundësi vetjake financimi, as akses në agjencitë kredituese. Në këtë kontekst, themelimi i një Banke Kombëtare Agrare mund të ishte një alternativë për financimin e bujqësisë.

Banka Agrare nuk duhet parë si një instrument financiar artificial për të orientuar fonde në sektorët e braktisur nga tregu. Përkundrazi, duhet lexuar si pjesë e një vizioni të ri për shndërrimin e bujqësisë nga një sektor i copëzuar dhe i rrëmujshëm, në një sektor të denjë dhe kredibël për të investuar. Për këtë, krijimi i Bankës Agrare duhet medoemos të paraprihet nga një reformë për riorganizimin e tokave bujqësore në njësi më të mëdha. Kjo me qëllim për të ulur kostot e prodhimit, si dhe për të rritur produktivitetin e punës në bujqësi. Më poshtë do të shpjegoj mënyrën se si mund të funksionojë Banka Agrare dhe burimet e mundshme të krijimit të portofolit kreditues të saj. Duke iu referuar edhe eksperiencave ndërkombëtare të bankave agrare.

2. Avantazhi i krijimit të një Banke Agrare është se ky institucion do të mund të fokusohej tërësisht në sektorin bujqësor dhe për pasojë Banka Agrare do të ishte më eksperte se bankat aktuale në njohjen e sektorit. Kjo do të ulte kostot e kalkulimit të riskut në projektet bujqësore, si dhe do të përmirësonte ndjeshëm kalkulimin sa më adekuat të tij. Këto dy përfitime do të mundësonin që Banka Agrare të ofronte kredi në norma interesi shumë më të ulëta, krahasuar me ato aktuale. Njëkohësisht, Banka Agrare mund edhe të ofronte konsulencë financiare për fermerët në hartimin e planeve të biznesit si dhe për t’i lidhur ata me blerësit.

Si mund të organizohej Banka Agrare? Hipotetikisht, banka nuk duhet të jetë një institucion i financuar vetëm prej fondeve publike, por një bashkëpunim midis publikes dhe privates. Në një periudhë afatshkurtër, Banka Agrare do të themelohej prej shtetit; në një periudhë afatmesme do të ishte një partneritet midis publikes dhe privates; në një periudhë afatgjatë do të shndërrohej në një bankë tërësisht private. Pra, do të iniciohej si një partnership midis publikes dhe privates dhe, vetëm pasi të shndërrohej në një institucion të vetëpërfitueshëm, mund të privatizohej tërësisht. Për sa i përket financimit, Banka Agrare duhet të mbështetet në katër kolona: I) donacionet prej partnerëve ndërkombëtare; II) depozitat e qytetarëve; III) të ardhurat prej buxhetit të shtetit; IV) aksionet e partnerëve privatë. Institucionet ndërkombëtare kanë mbështetur nisma të tilla në shumë vende të botës. Prandaj, nëse Shqipëria do të paraqiste një platformë koherente dhe të besueshme për zhvillimin e bujqësisë, mbështetja ndërkombëtare në terma financiarë nuk do të mungonte. Aktualisht mjaft vende të zhvilluara dhe institucione ndërkombëtare alokojnë një sasi të konsiderueshme fondesh për zhvillimin e bujqësisë në vendet në zhvillim. Por, për të përfituar nga këto skema, duhet që më parë të kemi një vizion të qartë dhe të besueshëm për zhvillimin e bujqësisë.

3. Historia e Bankave Agrare është e hershme dhe gjeografia e tyre mjaft e gjerë. Duhet pranuar se nisma të tilla janë mjaft delikate dhe kërkojnë një përqasje të kujdesshme. Në shumë vende këto banka kanë dështuar prej keqmenaxhimit dhe abuzimit shtetëror. Ky rrezik duhet mbajtur parasysh. Për të evituar këtë skenar, do të duhej që Banka Agrare të menaxhohej prej një bordi me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, dhe ndoshta nga një drejtor ekzekutiv i zgjedhur prej donatorëve. Një tjetër dobësi e bankave agrare ka qenë limiti i tyre për të zgjeruar bazën e burimeve dhe sasisë së kredidhënies. Fillimisht këto banka kanë zotëruar disa donacione ndërkombëtare dhe financime shtetërore, por që më vonë kanë shteruar e shkuar drejt zhdukjes. Në këtë kontekst, përvoja botërore sugjeron që banka duhet të ketë si kolonë të saj edhe financimin nga depozitat e qytetarëve. A do kishin besim qytetarët te kjo bankë e re? Mendoj se po, sepse depozitat e tyre do të ishin të siguruara si në çdo bankë tjetër. Për më tepër, në rast të ndonjë stuhie financiare, kjo bankë, duke qenë me pjesëmarrje shtetërore, do të ishte më e para që do të përfitonte nga ndihma shtetërore. Këto elemente do të bindnin qytetarët për sigurinë e depozitave të tyre. Për të tërhequr sa më shumë depozita, banka mund të aplikonte dhe strategji dhe incentiva të veçanta për depozituesit.

4. Një shembull i suksesshëm për bankat agrare është Banka Agrare e Tajlandës. Kjo bankë ka garantuar si suksesin në financimin e bujqësisë, ashtu edhe menaxhimin eficient dhe produktiv të investimeve të saj. Aktualisht kjo bankë jo vetëm ndihmon fermerët, por edhe siguron fitime të larta. Ekonomia tajlandeze është duke përfituar dyfish sepse banka gjeneron rritjen e të ardhurave të fermerëve, por edhe të vetë sektorit bankar. Në këtë logjikë duhet themeluar edhe banka agrare në Shqipëri. Pra, jo si një bankë që do të lëshonte financime thjesht si mëshirim për fermerët. Por, si një institucion financiar i përgjegjshëm, që do të financonte vetëm ato projekte që do të garantonin përfitueshmëri. E vërteta e thjeshtë është se tokat bujqësore janë anembanë Shqipërisë. Po kështu, krahu i punës është i bollshëm. Tashmë, nevojitet që shoqëria të kanalizojë financime për të shfrytëzuar potencialin e këtyre tokave dhe zënë me punë forcën punëtore në fshat. Këto tipare bëjnë dallimin midis ekonomive që ecin kuturu e në delir dhe ekonomive që planifikojnë me kujdes dhe largpamësi zhvillimin e tyre.

5. Në planin makroekonomik, në disa raste mund të kemi dëgjuar të artikulohet një kontradiktë se edhe dëshirojmë të ndërtojmë një ekonomi të zhvilluar, edhe dëshirojmë të zhvillojmë bujqësinë. Ky arsyetim tenton ta vendosë zhvillimin e sektorit bujqësor në kontradiktë me shndërrimin e Shqipërisë në një ekonomi të zhvilluar. Por, vështrimi i ekonomisë në këtë mënyrë është një silogjizëm tepër i thjeshtëzuar. Duhet kuptuar se zhvillimi i ekonomisë dhe zhvillimi i bujqësisë nuk janë politika reciprokisht përjashtuese. Përkundrazi, nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar pa bujqësi të zhvilluar. Vetëm në kuptimin e tij të hershëm, dy-tre shekuj më parë, zhvillimi nënkuptonte zhvendosjen e forcës punëtore nga bujqësia e fshati, drejt industrive të porsalindura në qytete. Prandaj, kur mendojmë për zhvillimin e Shqipërisë nuk duhet fantazuar thjesht një vërshim i popullsisë rurale drejt qytetit. Ky ishte kuptimi i zhvillimit në kontekstin historik të shekullit XVIII. Sot ekonomitë e zhvilluara bazohen ndjeshëm edhe në zhvillimin e sektorit bujqësor. Që të ndërtojmë një Shqipëri të zhvilluar, nuk duhet të shpërngulet fshati në qytet, si në vitet e para të tranzicionit. Në një sens metaforik, duhet të “çojmë” qytetin në fshat. Pra, të ndërtojmë një ekonomi të zhvilluar rurale, e cila do të përmirësonte standardet e jetesës në zonat rurale, për t’i afruar ato me qytetet.

6. Në hartimin e modelit të ri ekonomik mbetet imperative të adresojmë një zgjidhje për avancimin e sektorit bujqësor. Krijimi i një Banke Kombëtare Agrare do të ishte një alternativë serioze për zhvillimin e bujqësisë bazuar mbi teknologjitë bashkëkohore. Zhvillimi i sektorit bujqësor do të përmirësonte ndjeshëm strukturën dhe ritmet e rritjes ekonomike, si dhe cilësinë e jetesës së më shumë se gjysmës së popullsisë.

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: