INKOHERENCA NË TAKSIMIN PROGRESIV


Botuar tek gazeta Shqip, 2011-05-07

Kryefjala e regjimit fiskal në Shqipëri që prej 2007 është reklamuar të jetë një taksim i thjeshtë dhe transparent, që realizohej nëpërmjet taksës së sheshtë prej 10 %. Realisht ky sistem taksimi kishte thjeshtëzuar ndjeshëm procedurat fiskale në Shqipëri, dhe si rrjedhojë kishte ndikuar në rritjen e transparencës dhe efikasitetit të sistemit fiskal. Papritur, në kulmin e fushatës për zgjedhjet vendore, qeveria po diskuton një ndryshim drastik të regjimit fiskal prej taksimit të sheshtë në atë progresiv.

Ky ndryshim pozicionesh në regjimin e taksimit ngre shumë pikëpyetje dhe mbi të gjitha shpalos një inkoherencë dëshpëruese të ekzekutivit, jo vetëm në planifikimin e politikave fiskale, por edhe në planifikimin afatgjatë të ekonomisë kombëtare. Kjo, sepse sistemi i taksimit nuk është thjesht një teknikalitet, por një strukturë ekonomike që mbart një sërë incentivash në funksion të modelit ekonomik që ndjek vendi në një periudhë afatgjatë. Zakonisht, një mandat qeverisës ndjek një përqasje të caktuar kundrejt ekonomisë dhe e vazhdon këtë rrugë deri të fund të tij. Prandaj, nuk është e udhës që regjimi fiskal të ndërrohet çdo 2-3 vjet. Në këtë kontekst, rotacioni fiskal në mes të mandatit të qeverisjes, përveçse ilustron një varfëri analitike në ndjekjen e një modeli ekonomik, do të ketë edhe implikime negative në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri.

* * *

Taksimi i sheshtë takson nëpërmjet një norme prej 10% mbi të ardhurat personale, çdo individ si dhe çdo biznes, pavarësisht normës së fitimit. Ndërsa taksimi progresiv në thelbin e tij nënkupton një taksim jo të sheshtë, por të zhdrejtë. Pra, një taksim që rritet në proporcion të drejtë me normën e fitimit. Pra, sa më i lartë fitimi, aq më i taksueshëm bëhet subjekti apo individi. Nga një pikëpamje politike, është e debatueshme nëse për konsumatorët është më i favorshëm një taksim i sheshtë apo një taksim progresiv. Megjithatë, mendimi ekonomik pranon se taksimi i sheshtë është më i favorshëm për sektorin e biznesit, ndërsa ai progresiv për konsumatorët në tërësi. Si rrjedhojë, në Shqipëri ekzekutivi kishte vendosur të aplikonte një sistem taksimi të sheshtë, duke prioritizuar interesat e biznesit. Jo detyrimisht sistemi i taksimit duhet të ketë si kryefjalë konsumatorët. Zakonisht, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim, qeveritë shpalosin një sistem taksimi si pasojë e politikave afatgjata për zhvillimin e ekonomisë si dhe në koherencë me orientimin e tyre politik. Pikërisht këtë bëri edhe qeverisja e djathtë në 2007.

Duhet theksuar se taksa e sheshtë, e përdorur që prej 2007-s, përveç përmirësimeve të natyrës teknike në thjeshtimin e sistemit fiskal, nga pikëpamja strategjike ishte edhe një alternativë e gjetur në programimin afatgjatë të zhvillimit të ekonomisë si dhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Për ketë, vetëm para pak muajsh, Kryeministri Berisha i pohoi revistës amerikane ‘Forbes’ se, ishte frymëzuar nga liberalizmi ekonomik i Ronald Regan për të aplikuar në Shqipëri një nivel të ulët dhe të sheshtë taksimi. Pra, qeveria shqiptare dukej se kishte ndjekur një përqasje liberale kundrejt ekonomisë për t’i dhënë biznesit vendas më shumë frymëmarrje dhe më pak taksa në funksion të rritjes ekonomike. Shifrat pozitive të rritjes ekonomike të periudhës 2007-2010, në një pamje të parë validojnë aplikimin e taksës së sheshtë. Është e vërtetë se nuk ekziston ndonjë studim empirik që të provojë se taksa e sheshtë dhe rritja ekonomike post-2007 kanë përjetuar një marrëdhënie kauzale, ku e para të ketë shkaktuar të dytën. Megjithatë, nuk mund të mohohet se taksa e sheshtë ka qenë një faktor i fuqishëm në rritjet ekonomike të viteve të fundit. Ose, minimalisht, mund të pohojmë se taksa e sheshtë nuk ka qenë një faktor negativ në mbarëvajtjen e ekonomisë shqiptare.

Atëherë, është imperative të shtrojmë pyetjen se përse po ndodh ky rotacion drastik në regjimin fiskal? Zyrtarisht ky rotacion fiskal nuk është argumentuar, por është ilustruar thjesht në një pikëpamje narrative. Politikëbërja dikton që ato politika fiskale, të cilat kanë qenë të suksesshme, të mos ndryshohen. Ndërsa politikat publike që rezultojnë të pasuksesshme, sigurisht duhen zëvendësuar me politika më efikase. Nëse u referohemi deklarimeve të qeverisë, taksa e sheshtë ka qenë një histori suksesi për Shqipërinë. Këtij mendimi i bashkohem dhe unë. Por, pozicionohem absolutisht kundër inkoherencës në programimin  dhe implementimin e politikave publike e fiskale. Nuk është aspak serioze që për katër vjet rresht të evidentojmë suksesin e një politike taksimi dhe diku aty nga viti i katërt ta ndërrojmë këtë politikë me një të rënë të lapsit. Minimalisht, kjo nuk është serioze. Ndërsa në një rrafsh planifikues, ky ndryshim i nxituar ilustron se ekzekutivi ose nuk ka politika për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë, ose nuk beson në modelimin ekonomik si një metodë e përqendruar për të garantuar rritjen ekonomike. Në të kundërt, nuk do të përmbyste papritur një politikë të suksesshme fiskale.

Pyetja se përse ka ndodhur ky rotacion fiskal, sigurisht që nuk mund të ketë një përgjigje strategjike. Me këtë dua të them që ka shumë gjasa që rotacioni fiskal nuk ka ardhur si ndonjë modifikim i prioriteteve ekonomike të Shqipërisë apo sepse tashmë do të ndjekim një model tjetër zhvillimi. Në një përqasje kontekstuale e intuitive, mund të hipotezojmë se ky ndryshim ka ndodhur me qëllimin afatshkurtër për të grumbulluar më shumë të ardhura taksore për 2011 e në vazhdim, duke synuar uljen e deficitit buxhetor. Është një fakt empirik se në 2008 Shqipëria ka pasur një deficit buxhetor dy herë më të lartë se mesatarja e vendeve të rajonit; ndërsa në 2009 një deficit buxhetor 65% më të lartë se mesatarja e rajonit. Për me tepër, viti 2011 është një vit elektoral, në të cilin po shpenzohet shumë dhe po premtohen akoma me tepër investime publike. Zakonisht në vitet elektorale deficiti buxhetor ka qenë tepër i lartë dhe 2011 nuk pritet të bëjë përjashtim. Pra, prej disa vitesh Shqipëria përjeton një deficit buxhetor tepër të lartë, të kombinuar edhe me një nivel relativ akoma me të lartë të borxhit publik. Në këtë kontekst, qeveria ka pasur presione ndërkombëtare për të qenë më e kujdesshme në uljen e deficitit buxhetor. Këto këshilla duket se janë evidentuar në synimin e qeverisë për të ulur deficitin buxhetor në një nivel 3.5 % për 2011. Një shifër kjo aspak e realizueshme. Prandaj, mbase është parë e udhës që targeti për deficitin të realizohet duke sakrifikuar taksën e sheshtë.

Sakrifikimi i taksës së sheshtë nuk është zgjidhja e duhur për të kuruar deficitin publik. Së pari, ky rotacion fiskal cenon angazhimin e qeverisë në përqasjen liberale kundrejt zhvillimit të ekonomisë. Së dyti, ekzekutivi ka shpallur tërheqjen e investimeve të huaja si një nga pistat kryesore të gjallërimit ekonomik. Një strategji e drejtë kjo, e ndjekur nga shumica e vendeve të Europës Juglindore. Në funksionin e zhvillimit të investimeve të huaja, Shqipëria për shumë vite ka valëvitur flamurin e taksës së sheshtë si evidenca më përfaqësuese e klimës së relaksuar të të bërit biznes në Shqipëri. Pikërisht taksimi i sheshtë në nivelin 10% ka qenë mbase arsyeja më kryesore në tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Përmbysja e taksës së sheshtë nënkupton rënien e atraktivitetit të Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj. Dhe, kjo është fatale për një vend me një ekonomi të vogël, ku investimet e huaja kanë një rëndësi jetike në gjenerimin e rritjes ekonomike.

* * *

Është e qartë se vitet teke në Shqipëri (2001, 2005, 2007, 2009) kanë qenë vite elektorale dhe politika është treguar e papërgjegjshme, duke i faturuar ekonomisë një deficit të lartë buxhetor. Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet shkak edhe për deformimin e politikave ekonomike. Taksimi është një çështje shumë serioze e sistemit fiskal të një vendi dhe njëkohësisht edhe e modelimit afatgjatë të ekonomisë. Prandaj, politikat fiskale kërkojnë koherencë dhe planifikim afatgjatë, duke evituar mendësitë sot për nesër.

Implementimi i taksimit progresiv nuk është se është inkoherent në vetvete si mënyrë taksimi. Inkoherente janë ndërrimet e shpeshta të kursit fiskal, të cilat nuk i lejojnë Shqipërisë të krijojë një profil të qartë në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi, na evidentojnë si një vend i paqëndrueshëm dhe si rrjedhojë, i bëjnë investimet në Shqipëri të paparashikueshme.

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: